‘‘

’’


NJOFTIM

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE

2-3 Shkurt 2017, Hotel Tirana International, Tiranë

 

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, demokracia shqiptare ende ka mungesa përsa i përket përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe mekanizmave efektivë për të mundësuar llogaridhënien e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Shprehja e vullnetit demokratik shihet të ngushtohet vetëm tek proceset zgjedhore, në të cilat edhe mundësia për përzgjedhje efektive të platformave apo kandidaturave po pakësohet.

 

Për të diskutuar mbi këto çështje dhe nisur një debat publik mbi nevojën për të adresuar rregullimin e së drejtës së qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë plotësisht në proceset vendim-marrëse të vendit, KRIIK Albania, në bashkëpunim me Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizojnë Konferencën Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Konferenca do të realizohet në datat 2-3 shkurt 2017, në Hotel Tirana International. Një mundësi për shkëmbyer mendimet mbi mënyrat se si mund të fuqizohen më shumë qytetarët shqiptarë, si një bashkërenditje e tërë aktorëve, si politikë ashtu edhe civilë.

 

Momenti i organizimit të Konferencës është një mundësi e mirë për adresimin e kësaj çështje madhore nga partitë politike që në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Adresim i cili vlen të ndiqet më pas nga të mandatuarit e rinj, veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse, në konkretizimin e formave direkte të demokracisë së drejtpërdrejtë, si edhe mekanizmave të tjerë ligjorë që synojnë të fuqizojnë vullnetin qytetar.

 

Konferenca Ndërkombëtare “Ne Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” bëhet e mundur falë mbështetjes financiare dhe kontributit të veçantë të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, si dhe mbështetjes financiare të Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.


Për më tepër...





Nisja e menjëhershme e punës prej Komisionit Parlamentar, domosdoshmëri për mosdështimin e Procesit të Reformës Zgjedhore !
24/10/2016

 

L E T Ë R    E    H A P U R

 

Shkarko Letrën e Hapur të Plotë në .pdf

 

 

Drejtuar:      Bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore

Z. Taulant BALLA

                      Bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore

Z. Oerd BYLYKBASHI

Anëtarëve të tjerë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore

 

Për Dijeni:   Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

SH.T.Z.  Bujar NISHANI

Kryetarëve të Partive Politike Parlamentare

Kryetarëve të Grupeve Parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë

Përfaqësive diplomatike dhe organizmave ndërkombëtarë të akredituara në Shqipëri

Opinionit Publik

 

Të nderuar Zotërinj !

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV), si një grupim organizatash që punojnë në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, po ndjek me shumë vëmendje përgatitjen e procesit të ardhshëm zgjedhor dhe veçanërisht ecurinë e procesit të reformës zgjedhore.

 

Duke shprehur shqetësimin lidhur me vonesën e pavend në nisjen e punës prej Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore ku Ju bëni pjesë, sjell paraprakisht në vëmendjen tuaj se:

 

Që prej mbarimit të procesit zgjedhor të 21 Qershorit 2015, kryerja e Reformës Zgjedhore ishte zotimi kryesor i lidershipeve politike kryesore.

Të gjendur më pak se 8 muaj larg ditës së zgjedhjeve, Komisioni juaj është tërësisht i pamundur në kohë për të ndërmarrë një proces legjislativ që mund të ketë thellësinë e një të ashtuquajture “Reformë”.   Koha në dispozicion nuk arrin të plotësojë as rekuizitat e Ligjit “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”, që do vlenin në rastin e një akti normativ të zakonshëm.

Pamundësia kohore shndërrohet në “impasse” nëse puna e Komisionit do të kontekstualizohej në traditën politike vendase të ngërçeve politike të vullnetshme,  në vendimmarrjen e Komisionit të Venecias që paralizon reformat në regjim zgjedhor,  si dhe në kapacitetet vendase, ku shembulli më i fundit do të ishte procesi zgjedhor në Bashkinë Dibër.

 

   Në unison dhe në vijimësi të ligjërimit politik, që prej ngritjes së Komisionit, është pranuar që objektivat e Reformës Zgjedhore janë Rekomandimet e Raporteve Finale të OSBE-ODIHR-it për proceset zgjedhore të viteve 2013 dhe 2015.  Situatë e ngjashme kjo edhe me Komisionin e ngarkuar për Reformën Zgjedhore të vitit 2012, ku zotimi ishte përmbushja e Rekomandimeve të Raporteve Finale të OSBE-ODIHR-it për proceset zgjedhore të viteve 2009 dhe 2011.

Theksohet se në qasjen historike, në të vërtetë, zotimi për përmbushjen e rekomandimeve të Misioneve të OSBE-ODIHR-it në emër të vendit tonë është ndërmarrë që në Samitin e Stambollit të vitit 1999.

Pas gati dy dekadash, pas 9 proceseve zgjedhore të përgjithshme, angazhimi politik vazhdon të përsërisë veten.

Ashtu si edhe rekomandimet e Misioneve të OSBE-ODIHR-it vazhdojnë të jenë të njëjta nga njëri proces në tjetrin, duke mbetur të paplotësuara sipas raporteve të vetë misioneve.

 

   Komisioni juaj deri më tani, ka arritur të zhvillojë tre seanca plenare, ku ndër të tjera është afirmuar se puna voluminoze dhe diskutimi i teknikaliteteve do të ndërmerret nga Grupi i Ekspertëve.

Mungesa e një kalendari pune të miratuar,  mungesa e një rregullore pune dhe e transparencës në punën e Grupit të Ekspertëve, eventualisht mund të na përballë me dy shqetësime madhore.

    Së pari, se përse përgjatë gati një viti Komisioni nuk ka zhvilluar punën e tij paralelisht me punën dhe materialet e Grupit të Ekspertëve. Për më tepër që, megjithëse në përfundim të dy mbledhjeve të fundit është njoftuar mbledhja e rradhës në javën pasardhëse,  Komisioni nuk është mbledhur.

    Së dyti, paraqitja në limitet kohore dhe formalizimi i miratimit të amendimeve në Komision mbi bazën e dokumenteve dhe draft-eve të përgatitura tashmë nga Grupi i Ekspertëve nën argumentimin e mungesës së kohës në dispozicion dhe të gjetjes së dakortësisë politike bipartizane.

 

Kjo situatë duket se po i rezervon edhe këtij procesi të Reformës Zgjedhore të njëjtën vijimësi si proceset e mëparshme. Kjo në traditën përsëritëse tashmë të problematikave të vërejtura dhe rekomandimeve të bëra pas çdo procesi zgjedhor,  të zotimeve të lidershipeve për procese zgjedhore të vërtet të “lira dhe të ndershme”, si dhe të sjelljes jo institucionale të vetë Komisioneve Parlamentare.

 

Pamundësia kohore drejt ekstremeve, e krijuar artificialisht, po shfaq në perspektivë një dakortësi të orëve të fundit dhe njëkohësisht të mbyllur në dakortësinë e ngushtë politike.  Situatë kjo që penalizon që në fillesat e saj procesin zgjedhor të ardhshëm.   Ndërkohë, nga ana tjetër, i rezervon humbësit të drejtën për delegjitimimin e procesit zgjedhor dhe fituesit fajësinë mbi deformimin dhe aplikimin e elementëve të korrupsionit zgjedhor.

 

 

Në këto kushte, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, duke ju rikujtuar zotimet e lidershipit më të lartë politik, ju bën thirrje që në këto rrethana jashtë të zakonshmes nevojitet të ngrihet edhe puna, transparenca si dhe vullneti i Komisionit tuaj, duke shfrytëzuar në tërë limitet e veta fizike 7 javëshin kohor të mbetur.

 

Me urgjencë pritet më së pari miratimi i kalendarit të punës dhe deklarimi i hartës së çështjeve më imediate që do të merren në konsideratë dhe cilat jo, si dhe fillimi i procesit të konsultimit me tërë aktorët me interes në këtë proces legjislativ, të cilët tashmë janë vetëidentifikuar dhe kanë dhënë kontributet dhe sugjerimet e tyre.

 

Për këtë qëllim, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, në këto rrethana kohore, ju paraqet dhe liston më poshtë elementët më të mundshëm (në gjykimin e tij) që Komisioni juaj i Posaçëm minimalisht mund të adresojë me amendime konkrete, të cilat duhet të prekin më thellësisht çështjen e financimit të partive politike dhe drejtësinë zgjedhore, por edhe disa momente të administrimit zgjedhor.

 

 

I. Financat e partive politike:

 

  1. Përcaktimi i periudhës ekskluzive për donacionet dhe dhurimet elektorale për subjektet zgjedhore në një afat para fushatës zgjedhore, si dhe dorëzimin dhe publikimin e raporteve vetëdeklaruese para fillimit të fushatës zgjedhore.
  2. Obligimi i dorëzimit dhe publikimit të raporteve financiare vetëdeklaruese të subjekteve zgjedhore përjavore gjatë fushatës zgjedhore, si dhe përfundimtarin para ditës së zgjedhjeve.
  3. Krijimi i një strukture (drejtorie) të posaçme dhe me rregullore të brendshme respektive, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për kontrollin dhe publikimin e raporteve financiare (vetëdeklaruese dhe audituese) të subjekteve zgjedhore.
  4. Parashikimi i së drejtës ankimore të subjekteve zgjedhore për evidentimin e parregullsive në raportimet financiare të subjekteve të tjera zgjedhore.
  5. Parashikimi i procedurave të pranimit, rrëzimit, ndjekjes me ankimim apo kryesisht dhe përcjelljes së këtyre ankimimeve në organet e tjera përgjegjëse.
  6. Përcaktimi i sasisë së lejuar për kuotizacionet e anëtarësive të partive politike, regjistrimin dhe publikimin jo nominalisht të tyre në raportet financiare.
  7. Përcaktimi i një protokolli pune të ekspertëve kontabël në audimin e financave të partive politike.
  8. Për Zgjedhjet për Kuvend, raportimi dhe auditimi i veprimtarisë financiare për fushatën zgjedhore të kryhet jo vetëm për subjektin zgjedhor në tërësi, por të specifikohet sipas veprimtarisë së kandidatëve garues.
  9. Sanksionimi i moslejimit për të garuar të subjekteve zgjedhore që nuk dorëzojnë numrin e llogarisë bankare specifike për fushatën zgjedhore dhe të raportit financiar me objekt periudhën ekskluzive për donacionet për fushatën zgjedhore.
  10. Sugjerohet krijimi dhe përdorimi i llogarive bankare transparente prej partive politike.
  11. Zgjerimi i shtrirjes së konfliktit të interesit për donatorët e subjekteve zgjedhore në një periudhë 5 vjeçare para dhe pas dhurimit, si dhe në rrethin e familjarëve të ngushtë.
  12. Rregullimi i së drejtës për vullnetarizëm dhe kufizimet e saj, në organizimin e fushatës zgjedhore dhe pasqyrimi në raportet financiare dhe të auditimit financiar.
  13. Rregullimi i së drejtës për dhurime në natyrë dhe kufizimet e saj, në organizimin e fushatës zgjedhore dhe pasqyrimi në raportet financiare dhe të auditimit financiar.
  14. Përcaktimi dhe rregullimi i veprimtarisë financiare të organizmave brenda partiakë, si ata për të rinjtë apo për gratë, si pjesë e raporteve dhe e auditimit financiar.
  15. Përcaktimi i lëvrimit të fondit publik në një afat të arsyeshëm para fillimit të fushatës zgjedhore.

 

 

II. Drejtësia zgjedhore:

 

  1. Kodi Zgjedhor duhet të rivlerësojë dhe të saktësojë procedurat e skrutinitetit të kutive të materialeve zgjedhore dhe të kutive të fletëve të votimit.
  2. Rregullimi i ri ligjor duhet të filtrojë proporcionalisht pretendimet duke mos dëmtuar vijueshmërinë e procesit nga njëra anë, si dhe duke mos mohuar të drejtën e subjekteve zgjedhore për skrutinitet në të njëjtën kohë.
  3. Nevojitet të saktësohet pesha dhe natyra e provës në procesin ankimor administrativ dhe gjyqësor në sistemin zgjedhor.
  4. Nevojitet të parashikohet procedura eventuale, në rastet kur KZAZ-të nuk pranojnë ose mohojnë marrjen në dorëzim të ankimimeve prej subjekteve zgjedhore.
  5. Ndryshimi midis indicies dhe provës duhet shmangur sa më shumë prej diskrecionalitetit të kolegjialitetit gjykues.
  6. Nevojitet që të vendoset një balancë në vendimmarjen e Kolegjit Zgjedhor në raport me jurisprudencën që vendos.
  7. Është e domosdoshme marrja e një qendrimi përfundimtar në lidhje me traditën ligjore të vendosur deri më sot nga Kolegji Zgjedhor, për shkak të inkoherencave.
  8. Në këtë drejtim duhen parë dhe saktësuar natyra gjykuese, tagrat dhe çështjet objekt gjykimi të Kolegjit Zgjedhor, si dhe pozita e Gjykatës Kushtetuese në procesin ankimues zgjedhor.
  9. Kodi Zgjedhor të saktësojë barrën e provës për subjektet zgjedhore në procesin ankimor dhe gjyqësor.
  10. Nevojitet një “lehtësim”, proporcional dhe i arsyeshëm, i barrës së provës në kërkesat e subjekteve zgjedhore për marrjen në administrim të fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore, në gjykimin administrativ që kryen Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
  11. Roli i vëzhguesve partiakë në procesin e votimit dhe numërimit është i nevojshëm të saktësohet në të drejtat që kanë. Kjo duhet të shtrihet edhe në rangun e vëzhguesve të pavarur të organizatave joqeveritare.
  12. Nevojitet sanksionimi dhe saktësimi i së drejtës së vëzhguesve partiakë në paraqitjen e vërejtjeve në librin e protokollit. E njëjta duhet të vlejë edhe për vëzhguesit e pavarur.
  13. Sugjerohet të merret në konsideratë “lehtësimi”, proporcional dhe i arsyeshëm, i kërkesave për procesin e rinumërimit të votave për kërkesat e subjekteve zgjedhore.
  14. Jurisprudenca dhe siguria juridike përgjatë vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor nevojitet të marrë një parashikim akoma më të plotë prej atij që ka sot Kodi Zgjedhor.

 

 

III. Administrimi zgjedhor:

 

  1. Përcaktimi i kontrollit të origjinalitetit të kartave të identitetit të votuesve.
  2. Përcaktimi i detyrave dhe të drejtave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si pjesë e detyrave në procesin e dekriminalizimit të kandidatëve garues.
  3. I gjithë procesi i caktimit të qendrave të votimit në vende publike ose private, vendeve të numërimit të votave dhe vendndodhjes së KZAZ-ve, duhet riparë në adresim të problematikave të deri më sotme si: tejkalimi i afateve apo mospërmbushja e kushteve fizike të parashikuara nga Kodi Zgjedhor.
  4. Procesi i njoftimit me shkrim të zgjedhësve duhet të rishihet si i tërë në adresim të problematikave të deri më sotme, për t’u vënë në zbatim.
  5. Është e nevojshme që Kodi Zgjedhor t’i kushtojë më shumë vëmendje rregullimit të punës së agjentëve zgjedhorë si: Ministria e Brendshme (Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe zyrat në varësi të saj), Agjensia e Mediave Audiovizive, Prokuroria e Përgjithshme, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Licensuar, apo edhe aktorë të tjerë që kanë detyra apo ndihmojnë në organizimin dhe realizimin e procesit zgjedhor.
  6. Është e nevojshme të sanksionohet në vetë Kodin Zgjedhor, mos lejimi i amendimeve të kuadrit ligjor në periudhën e regjimit elektoral, pra në periudhën një vjeçare që paraprin datën e zgjedhjeve.
  7. Elementët kohor në procedurat e kërkuara duhet të saktësohen dhe të mos lihen hapësira diskrecionale në zbatimin e tyre.
  8. Në funksion të normativizimit të afateve të kërkuara prej kuadrit ligjor zgjedhor sugjerohet të vendosen sanksione për moszbatimin e tyre.
  9. Nevojitet të ndërmerren masa që anëtarët e komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta të marrin një trajnim më të plotë mbi punën dhe procedurat e këtyre komisioneve.
  10. Në trajnimin e komisionerëve të qendrave të votimit, një pjesë e veçantë i duhet kushtuar sjelljes dhe formave alternative që duhen përdorur për të ndaluar në mënyre kategorike votimin familjar.
  11. Respektimi në mënyrë kategorike i së drejtës së votës dhe i fshehtësisë së saj për gratë, të rinjtë, të moshuarit në zonat rurale duhet gjithashtu të trajtohet me prioritet përgjatë trajnimeve të komisionerëve. Të njëjtën vëmendje duhet të marrë votimi i personave të pamundur për të votuar vetë.
  12. Statusi ligjor i vëzhguesve, partiakë dhe qytetarë, duhet saktësuar edhe më në detaje mbi të drejtat dhe detyrimet që duhet të mbartin vëzhguesit.

 

Duke ju falënderuar për vëmendjen në marrjen në konsideratë të kësaj Letre të Hapur, ju vëmë në dukje se amendimet kryesore të listuara më sipër janë parashikuar si integralë me njëri-tjetrin, dhe nuk qendrojnë si alternativa specifike apo opsionale.

 

 

Me konsideratë,

 Për Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë

 Përfaqësuesit e Organizatave Drejtuese

 

         GertaMETA                                     Premto GOGO                           Rajmonda PRIFTI

   Drejtore Ekzekutive                                 Kryetar                                  Drejtore Ekzekutive

Shoqata për Kulturë Demokratike        Shoqata KRIIK Albania         Shoqata për Gratë e Fëmijët

 

Tiranë,  më 24 Tetor 2016!

NJOFTIM - Seri tryezash te Rrumbullaketa mbi Korrupsionin Zgjedhor dhe pjesemarrjen qytetare - 19-22 Dhjetor 2016!
16/12/2016

Zgjedhjet Parlamentare të 18 Qershorit 2017; sfidat dhe përgjergjësitë e aktorëve në kontekstin institucional-politik aktual dhe rreziku ndaj ecurisë së procesit !
07/12/2016

Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore !
16/11/2016

Prezumimi i rremë i pavarësisë së Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dështim i aspiratës së Reformës Zgjedhore të vitit 2012 !
02/11/2016

Aktivistë të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vëzhgojnë Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit në Moldavi nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit - ENEMO !
28/10/2016


© Koalicioni i Vezhguesve Vendore